Investimet për energji të pastër në Kosovë, kryeministri Kurti: Mbështetja mund të shkojë deri në 2 mijë euro!
Në Kosovë Ministria e Ekonomisë ka publikuar një thirrjen për investimin në sisteme të energjisë së ripërtëritshme për mbështetjen e konsumatorëve familjarë dhe ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme.
Bëhet fjalë për sisteme fotovoltaike (FV) për prodhimin e energjisë elektrike për vetë-konsum dhe të sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar të financuara nga BE.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se qëllimi i kësaj nisme është të fuqizohen familjarët e bizneset për të bërë zgjidhje të qëndrueshme dhe të përballueshme.
Kurti shtoi se për këto dy masa, bizneset në pronësi apo bashkëpronësi të grave, mbi 51% do të subvencionohen me 200 euro shtesë.
Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se janë duke punuar vazhdimisht për t’i dalë në ndihmë qytetarëve sa i përket energjisë elektrike.
Rizvanolli tha se kjo masë do të ndikojë edhe në ruajtjen e ambientit dhe uljen e faturave të energjisë elektrike.
Ndërsa, shtoi se janë 17 kompani vendore që ofrojnë shërbime që janë promovuar gjatë ditës së sotme.
Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari i ka bërë thirrje bizneseve ta shfrytëzojnë këtë mundësi që kontribuon në uljen e kostos për energji.
Ajo po ashtu tha se këto masa kanë për qëllim zbutjen e krizës energjetike në vend.
Sipas KosovaPress