Investimet strategjike, Bardhi: Votimi pa kuorum! Shehaj: Ligjet kalojnë për interesa
Pak pasi mazhoranca miratoi vetëm me votat e saj projektligjet e rendit të ditës së seancës së sotme plenare, ndër të cilët ishte dhe pr.ligji “Për Investimet Strategjike”, deputeti demokrat Agron Shehaj akuzoi qeverinë se këto ligje kalohen vetëm për interesat e tyre personale.
Ai theksoi se problemi i vërtetë i vendit, është qeverisa, që sipas demokratit përvetëson pronat e qytetarëve të thjeshtë dhe pasurohet me to.
“Këta kanë një qëllim, ligjet kalojnë për interesa. Unë mendoj se problemi i këtij vendi është qeveria. Pronat e qytetarëve të thjeshtë i përvetëson dhe pasurohet me to. Unë jam i mendimit të flasim troç me fakte me prova dhe jo në përgjithësi”, tha Shehaj.
Ndërsa deputeti demokrat Gazment Bardhi u shpreh se Parlamenti duhet t’i kthehet normalitetit.
Ai u shpreh se sipas rregullores së Kuvendit që të hapet procesi i votimit të projektligjeve nevojiten 71 deputetë, ndërsa sipas tij, në Kuvend ligjet u miratuan me 68 vota.
Bardhi theksoi se asnjë prej akteve ligjore të kaluara në seancën e sotme plenare nuk konsiderohen të miratuara ligjërisht.
“Për opozitën është e rëndësishme që parlamenti i kthehet normalitetit, sa i takon të drejtave kushtetues të opozitës dhe procesit parlamentar të shqyrtimit dhe votimit të pr.ligjeve.
Sipas rregullores dhe kushtetutës, sot asnjë nga aktet ligjore që kaloi në seanca pa u shpallur rezultati i votimit s’mund të konsiderohet i miratuar ligjërisht. Sipas rregullores së Kuvendit dhe juroisprudencës së Kushtetueses, neni 55, thuhet e për efekt kuorumi llogariten vetëm deputetët që kanë marrë pjesë në procesin e votimit, pavarësisht se sa janë prezentë në sallë.
Në votim morën pjesë 68 deputetë. Duhet të jenë 71 deputetë që të hapet procesi i votimit. Imagjinoni çfarë i bëjnë parave të buxhetit të shtetit”, tha Bardhi.