Inzaghi mendon për Atleticon, Asllani projektohet titullar në kampionat
Atletico Madrid mund të presë. Së pari është Salernitana. Interi po përgatitet për ndeshjen e së premtes në mbrëmje në “San Siro”. Luhet kundër skuadrës së vendit të fundit, por Salernitana e trajnerit të ri Fabio Liverani nuk duhet nënvlerësuar. Objektivi i zikaltërve është të vazhdojnë serinë pozitive dhe të qëndrojnë gjithmonë në një distancë të sigurt nga Juventusi i vendit të dytë, duke u përpjekur gjithashtu të rrisin epërsinë e pikëve.
Championsi në sfond – Një sfidë e rëndësishme por që do të ndikojë në mënyrë të pashmangshme në zgjedhje edhe për ndeshjen ndaj Atletico Madrid të martën e ardhshme në “Meazza”. Për këtë arsye trajneri Simone Inzaghi pritet të bëjë disa ndryshime në formacionin titullar. Acerbi sigurisht nuk do të jetë, me rrezik të madh edhe për ndeshjen e 1/8-ve të finales kundër “colchoneros”, De Vrij do të luajë në vend të tij dhe do të vendoset në qendër të mbrojtjes.
Ish-qendërmbrojtësi holandez i Lazios nuk do të jetë i vetmi i ri në 11-ten e zikaltërve. Siç raportohet në numrin e sotëm të “Gazzetta dello Sport”, trajneri i zikaltërve mund të bëjë disa ndryshime të tjera. Në sulm, një mes Thuram dhe Lautaro mund të pushojë me Arnautovic të gatshëm për të luajtur që në minutën e parë ashtu si një mes Pavard dhe Bastoni mund të nisin ndeshjen nga pankina.
Në mesfushë, nëse Frattesi do të jepte garanci, një mes Mkhitaryan dhe Barella mund të pushonte, ndërsa Asllani mund të marrë vendin e Calhanoglu. Pritet që mesfushori shqiptar të luajë në ndeshjen e radhës në kampionat kundër Salernitanës.