Inzaghi projekton ndryshime në Kupë, Asllani titullar ndaj Bolognas
Objektivi kryesor është ylli i dytë në fanellë, prandaj është e qartë që Interi është fokusuar totalisht te ndeshja e të shtunës kundër Lecces në kampionat. Zikaltërit nuk kanë ndërmend të tolerojnë në Kupën e Italisë, por nesër në mbrëmje përballë Bolognas trajneri Simone Inzaghi pritet që të lërë pushim disa nga lojtarët titullarë të skuadrës.
Infermieria është plot dhe synimi është që të mbyllet ky vit kalendarik në kuotën e 47 pikëve, duke pretenduar maksimumin përballë Lecces dhe Genoas (dy sfidat e fundit të vitit 2023 në Serie A.).
Sulmuesi Alexis Sanchez do të mungojë ndaj Bolognas për shkak të një problemi muskulor, prandaj në sulm pritet që të luajë dyshja Arnautovic-Lautaro, ndërsa Thuram pritet që të nisë ndeshjen nga stoli.
Ndryshime do të ketë edhe në mesin e fushës. Inzaghi pritet që të lërë pushim Mkhitaryan dhe Calhanoglu dhe në vend të tyre të luajnë si titullarë Frattesi dhe Asllani. Një mundësi e mirë për mesfushorin shqiptar që të mund të tregojë vlerat e tij ndaj Bolognas.