Inzaghi: Shorti do të jetë më i vështirë, por u kualifikuam si të pamposhtur
Pas barazimit shtëpiak pa gola përballë Real Sociedadid dhe në prag të shortit të fazës me eliminim direkt të Champions League, trajneri i Interit Simone Inzaghi është i mërzitur që mbylli grupin në vendin e dytë, por nuk e bënë dramë këtë fakt.
“Tani shorti do të jetë më i vështirë, por nuk dua të shoh asnjë të mërzitur. E mbyllëm grupin pa humbje dhe jemi kualifikuar sërish mes 16 skuadrave më të mira të Champions League. Donim të fitonim ndeshjen dhe u munduam deri në fund, por nuk ia arritëm. Kishim përballë një kundërshtar me vlera. Rastet më të rrezikshme i kishim ne, por nuk arritëm që t’i konkretizonim”, tha pas ndeshjes trajneri i Interit.
Tekniku ka komentuar edhe zgjedhjet e bëra në formacion, ku binin në sy disa ndryshime: “U mundova të alternoja skuadrën dhe të lija pushim ndonjë lojtar që kishte nevojë si Lautaro dhe Barella, që kanë luajtur shumë edhe me skuadrat kombëtare. Ndonjëherë edhe 35 minuta bëjnë diferencën jam shumë i kënaqur me ata që luajtën nga fillimi dhe ata që u futën gjatë ndeshjes”, ka përfunduar Simone Inzaghi.