IOC hap derën për rusët dhe bjellorusët
Rusët dhe bjellorusët që kualifikohen në sportin e tyre për në “Paris 2024” mund të marrin pjesë si neutralë, por pa flamuj, emblema apo himne në Olimpiadën e vitit të ardhshëm, deklaroi të premten Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Rusët dhe bjellorusët fillimisht ishin ndaluar të konkurronin ndërkombëtarisht pas pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar, për të cilin Bjellorusia është përdorur si terren. Megjithatë, në mars, IOC lëshoi një grup të parë rekomandimesh për federatat ndërkombëtare të sporteve për të lejuar rikthimin e konkurrentëve rusë dhe bjellorusë dhe që atëherë ata e kanë bërë këtë në shumicën e garave.
Megjithatë, sporti më i madh i Lojërave Olimpike, atletika, nuk ka gjasa t’u hapë dyert atyre për t’u rikthyer në garë, pasi i ndaloi ata pas pushtimit dhe i mbeti besnik të premten këtij pezullimi. “Bordi Ekzekutiv i IOC-së ka vendosur që Atletët Individualë Neutralë (AIN) që janë kualifikuar përmes sistemeve ekzistuese të kualifikimit të Federatave Ndërkombëtare në fushën e lojës, do të shpallen të kualifikuar për të garuar në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, – deklaroi organi më i lartë i Lëvizjes Olimpike, duke sqaruar se “atletët individualë neutralë janë atletë me pasaportë ruse ose bjelloruse”.
Atletët neutralë do të garojnë vetëm në sporte individuale dhe asnjë ekip nga të dy vendet nuk do të lejohet të marrë pjesë në Paris. IOC-ja, e cila në tetor pezulloi Komitetin Olimpik Rus për njohjen e organizatave rajonale nga katër territore të aneksuara nga Ukraina, tha gjithashtu se atletët që mbështesin në mënyrë aktive luftën në Ukrainë nuk do të kishin të drejtë të merrnin pjesë në Olimpiadë.