Ish-ambasadori japonez që ka vendosur të jetojë në Shqipëri: Është vendi më i sigurt në Europë!
Ish-ambasadori japonez në Shqipëri Takada Mitsuyuki, ka vendosur të jetojë në Tiranë.
Vendimin e tij zoti Mitsuyuki e ka bërë të ditur në episodin e 21-të të sezonit të 3-të të podKastit “Flasim” të kryeministrit shqiptar Edi Rama.
“Nga japonez në katnar Tirone”, u shpreh Rama teksa tregoi se ish-ambasadori pas përfundimit të mandatit të tij ishte rikthyer për të jetuar në Tiranë, bashkë me bashkëshorten e tij dhe aktualisht ndërvepronte me sipërmarrjet shqiptare për të ndihmuar ato të lidhen me tregun japonez.
Ambasadori i rrëfeu kryeministrit Rama se si, kur ai ishte emëruar për të përfaqësuar Japoninë, nuk e njihte Shqipërinë dhe se ishte përpjekur të mblidhte informacion në internet apo bibliotekë, por në fund kishte dëgjuar këshillën e ambasadorit japonez në Tiranë që po linte detyrën.
“Paraardhësi im me telefonoi dhe më tha: nuk duhet të dini asgjë, mos u shqetësoni për asgjë. U besova fjalëve të tij. Përshtypja e parë ishte: Shqipëria dukje si Japonia e 30-40 viteve më parë. Njerëzit ishin shumë miqësorë, ishin mikpritës dhe shumë të sjellshëm. Me jepnin këshilla mjaft të mira. Konstatova pak ndryshim me kulturën e vendit tim. Japonezët planifikojnë çdo gjë, por pashë që shqiptarët kishin vlera, familjen, miqtë dhe e shijojnë shumë mirë jetën e tyre”, tha ish-ambasadori japonez.
I pyetur rreth asaj që ndante me kolegët e tjerë ambasadorë në Tiranë, ai deklaroi se Shqipëria ishte një ndër vendet më të sigurta në Evropë.
“Më ka befasuar. Nga vendet europiane, Shqipëria është vendi më i sigurt dhe ambasadorët e tjerë më shprehen të njëjtin mendim. Shqipëria vendi më i sigurt në Europë“, tha ai.
Zoti Mitsoyuki premton se do të angazhohet për të krijuar ura lidhëse mes Shqipërisë dhe Japonisë. Ai këshillon sipërmarrjen shqiptare, për të mbajtur të rinjtë shqiptarë në vend.
“Ato duhet të krijojnë vende pune të reja, në të cilat të paguajnë rroga më të larta. Nuk e di sa mund të kontribuoj në këtë drejtim. Ideja bazë është të gjej mundësi bashkëpunimi të përbashkëta mes sipërmarrjeve të dy vendeve, një mënyrë që sipërmarrja të paguajë paga më të mira që të mbajmë të rinjtë shqiptarë këtu”, deklaron ish-ambasadori ish-ambasadori japonez në Shqipëri Takada Mitsuyuki në podkastin “Flasim”.