Categories: LajmeRajoni

Ish-komandanti i lartë i NATO-s: Incidenti në veri të Kosovës, problem real për qëndrueshmërinë në Ballkan

Ish-komandanti i lartë i NATO-s, gjenerali Uesli Klark (Wesley K. Clark) në një intervistë për Zërin e Amerikës ka komentuar sulmin me armë në veri të Kosovës ku persona të maskuar dhe të armatosur qëlluan me për vdekje policin Afrim Bunjaku dhe plagosën një tjetër efektiv.

Klark e cilëson situatën si një tragjedi dhe problem real për qëndrueshmërinë në Ballkan. Sipas tij, ky sulm duhet të përbëjë shqetësim për BE-në dhe NATO-n.

Sa i përket gjetjes së arsenalit të armëve nga Policia e Kosovës në Manastirin e Basnjkës, gjenerali shprehet se “armatimet ka të ngjarë të kenë ardhur nga Serbia, dhe ndoshta ky ka qenë një veprim i koordinuar ose të paktën i miratuar në heshtje nga forcat speciale serbe”.

Po ashtu, ai e sheh incidentin si një rrezikshmëri për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin.

Incidenti është tregues i një lidhje me Serbinë, vendosjen e një shteti policor ushtarak që mund të përbëjë një rrezik të konsiderueshëm shkatërrimi brenda Kosovës”, u shpreh ai.

Sulmi, thekson më tej gjenerali, nuk do e çojë para dialogun mes dy shteteve Kosovë-Serbi, ndërsa i jep dhe një mesazh kësaj të fundit për të njohur Kosovën si shtet.

Duhet të gjejmë mënyra të tjera për të forcuar stabilitetin në Ballkan dhe për t’u përkujdesur për njerëzit atje”, shtoi më tej Klark.

Ky i fundit theksoi se NATO duhet të forcojë aftësitë e saj për qenë më efikase kudo në Kosovë.

Si i komentoni ngjarjet që ndodhën të dielën e kaluar në veri të Kosovës afër fshatit Banjskë?

Para së gjithash, është një tragjedi për të gjitha palët dhe është një problem real për qendrueshmërinë në Ballkan. Duhet të përbëjë shqetësim për Bashkimin Evropian dhe NATO-n, ndërsa dalin në pah detajet e incidentit. Ajo që është më shqetësuese për mua është se pas incidentit, rezultoi se kishte një grumbullim të madh armësh në manastirin serb. Kjo ka ndodhur edhe më parë.

Ne e dimë nga përvoja e mëparshme në Ballkan në vitet 1990, dhe që atëherë se manastiret serbe kanë qenë strehë e nacionalizmit serb. Dhe kjo nuk e përjashton përdorimin e tyre si arsenale. Ndaj kjo është gjëja më shqetësuese.

Shpresoj që KFOR të insistojë që këto manastire të inspektohen dhe arsenalet të konfiskohen, sepse nuk ka vend për këtë në mes të përpjekjeve për të arritur marrëveshjen e autonomisë për qytetarët serbë të Kosovës. Është kundërproduktive dhe nuk ka vend për kërcënime me dhunë dhe armë.

Çfarë lloj formacioni do të kishte qasje tek pajisjet dhe burimet që janë kapur pas neutralizimit të sulmit?

Armatimet ka të ngjarë të kenë ardhur nga Serbia, dhe ndoshta ky ka qenë një veprim i koordinuar ose të paktën i miratuar në heshtje nga forcat speciale serbe. Ne i kemi parë këto lloj veprimesh edhe më parë, sepse më kujtohet se gjatë fushatë ose në fillim të fushatës ajrore të vitit 1999 në Kosovë, një grup ushtarësh serbë në rroba civile rrëmbyen tre ushtarë amerikanë të cilët ishin pjesë e patrullës në atë që sot njihet si Maqedonia e Veriut.

Ata nuk kishin uniforma ushtarake, por kaluan kufirin dhe rrëmbyen tre ushtarë amerikanë nga makina e patrullës, i rrahën dhe i dërguan në Beograd. Pra, mbetet për t’u parë se kush ishin sulmuesit në pjesën veriore të Kosovës dhe lidhet me forcat speciale dhe qeverinë serbe.

Presidenti serb pretendoi se sulmuesit ishin serbë të zonës të cilët nuk mund ta përballonin represionin nga qeveria e Kryeministrit Kurti. Çfarë mendoni për këtë?

Do të më duhej të kuptoja më mirë se cilat janë ankesat e tyre për shtypjen. Shtypja nuk filloi pas futjes së KFOR-it në vitin 1999 nën udhëheqjen franceze. Në thelb, në atë zonë ishte eliminuar autoriteti shqiptar dhe shqiptarët ishin spastruar nga detyrat në spitale apo vende të tjera ku mund t’i shërbenin komunitetit. Që nga atëherë, zona ka qënë relativisht e ndarë.

Ka qenë një tranzicion i vështirë për qeverinë e Kosovës që të merret me separatizmin serb në veri, kështu që unë mendoj se këto pretendime për shtypje janë të pakuptimta. Është thjesht një deklaratë. Nuk ka asnjë tregues për ndonjë shtypje.

Në fakt, të dhënat tregojnë se ky rajon po i paguan taksa Beogradit dhe fondet vijnë nga Beogradi sikurse ky rajon të ishte një shtet më vete. Por nuk është. Është pjesë e Kosovës. Duhet të jetë pjesë e sistemit të taksave të qeverisë së Kosovës. Por nuk është. Pra, atje ka një problem të vërtetë.

Autoritetet e Kosovës pretendojnë se një nga sulmuesit është Milan Radoiçiq, nënkryetar i partisë më të madhe dhe më me ndikim të serbëve të Kosovës, që ka lidhje të ngushta me partinë serbe në pushtet. Ai është gjithashtu nën sanksionet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Si e shihni këtë?

Kjo është një dëshmi e mëtejshme e përfshirjes së qeverisë serbe. Incidenti tregon për rrezikshmërinë që mund të ketë zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Incidenti është tregues i një lidhje me Serbinë, vendosjen e një shteti policor ushtarak që mund të përbëjë një rrezik të konsiderueshëm shkatërrimi brenda Kosovës.

A ka ndonjë pasojë specifike që mendoni se duhet të kenë palët? Kush dhe në çfarë mënyre?

Serbët që morën pjesë në sulm duhet të sillen para drejtësisë sipas të gjitha rregullave të legjislacionit të Kosovës. Mendoj se NATO-ja duhet të forcojë aftësitë e saj për të qenë në mënyrë efikase kudo në Kosovë. Nëse është e nevojshme të kontrollojë manastiret serbe nëse në to strehohen individë ndaj të cilëve janë vënë sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Përse një individ i tillë duhet të jetë udhëheqës i një partie politike në Kosovë? Si mund të lejohet kjo? Zoti Thaçi, ndaj të cilit janë ngritur akuza, është ende në burg në Hagë. Pra, duhet të ketë një masë mirëkuptimi nga të dyja palët për sundimin e ligjit në Kosovë.

Ministri serb i mbrojtjes, përveç tjerash, tha se Serbia është e pakënaqur me reagimin e KFOR-it. Si duhet të reagonte KFOR-i në këtë situatë ?

KFOR duhet të veprojë me forcë kundër dhunës në Kosovë, kudo qoftë apo ndaj palëve që ushtrojnë dhunë. Kjo është arsyeja pse KFOR ndodhet atje.

Por do të vëreja gjithashtu se këto veprime në Kosovë nuk janë të palidhura me dhunën në Ukrainë. Për Rusinë, nxitja e trazirave në Kosovë, duke përdorur Serbinë si agjent të saj do të ishte ekuivalenti i një sulmi të thellë të luftës hibride. Rusia do të dëshironte të shihte paqëndrueshmëri më të madhe në Ballkan, një shpërqendrim për NATO-n, me preteksin se demokracia nuk funksionon.

Gërryerja e pavarësisë së Kosovës do të ishte në interes të Moskës. E gjitha është pjesë e një axhende që po ndiqet nga të paktën disa elementë në Beograd.

Për serbët e vrarë u mbajtën përkujtimore dhe ditë zie, një lloj nderimi për autorët. Çfarë mesazhi dërgon kjo?

E kuptoj kur bëhet fjalë për anëtarët e familjes. Por si çështje e politikës shtetërore, jo, këta njerëz janë të jashtëligjshëm. Ata shkelën sundimin e ligjit në Kosovë. Dhe ata që morën pjesë duhet të ndëshkohen dhe të mos njihen si heronj. Por unë e di se në Serbi dhe në këtë rajon, trashëgimitë e konfliktit që datojnë më shumë se një shekull janë përplasjet etnike, përplasjet fetare, Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore e deri në epokën e Titos, përpjekja për të shtypur nacionalizmin shqiptar dhe ardhja e Milosheviçit në pushtet, gjithçka është shoqëruar me dhunë, me urrejtje, me tensione ndëretnike. Dhe është koha për ta ndaluar atë dhe për të ecur përpara në shekullin e 21-të. Është një tragjedi e vërtetë. Më vjen shumë keq për familjen e këtyre njerëzve të vrarë nga të dyja anët. Dhe polici shqiptar që u vra, polici i Kosovës po bënte detyrën.

Ai po mbështeste sundimin e ligjit. Serbët (që ndërmorën sulmin) ishin rebelë, terroristë. Dhe ata nuk meritojnë asnjë njohje zyrtare. Por, sigurisht, është një tragjedi për ta dhe familjet e tyre. Dhe na vjen keq për të gjitha humbjet e jetëve në zonë.

Si do të ndikojë kjo lidhur me dialogun tashmë të ngecur mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve?

Është për të ardhur keq, por nuk do ta çojë përpara dialogun. Shtetarët e arsyeshëm nga të dyja palët duhet të thonë se kjo duhet të ndalet. Është koha për ta njohur Kosovën, të shkohet përpara dhe të vendoset paqja në rajon.

Por kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ka gjasa të ndodhë. Por fuqia e urrejtjes ndëretnike, trashëgimia e më shumë se një shekulli konflikti dhe vdekjesh është kaq e madhe sa mendoj që vendet e Evropës dhe Shteteve të Bashkuara duhet të bashkohen dhe thjesht ta qetësojnë situatën. Ta ruajnë status quo-në. Nuk do të shohim përparime të shpejta në drejtim të normalizimit. Duhet të gjejmë mënyra të tjera për të forcuar stabilitetin në Ballkan dhe për t’u përkujdesur për njerëzit atje.

RTSH Shkodra

Recent Posts

E akuzoi se ka dalë në Sky ECC, ish-drejtori i policisë së Shkodrës padit Gazment Bardhin për shpifje

Kreu i grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi është paditur për shpifja nga ish-drejtori i…

18 hours ago

Mbyllet procesi i “Vetting-ut”, përfundon kontrolli i plotë i gjyqtarëve dhe prokurorëve

Sot ajo që njihet si shkalla e parë e kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në…

18 hours ago

Gjykata kërkon arrestimin e Netanjahut, liderit të Hamasit për krime lufte

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, ish-ministri i Mbrojtjes, Joav Galant dhe lideri i Hamasit, Mohamed…

18 hours ago

2 vite në krye të SPAK, Dumani rrëfen nesër në “3D” për përballjen me politikën dhe krimin e organizuar

Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani do të jetë mbrëmjen e së premtes…

18 hours ago

Ceremonia e diplomimit , 1320 studentë kurorëzuan me sukses studimet për vitin akademik 2023 – 2024

Veprimtaria e Ceremonisë së Diplomimit të Universitetit “Luigj Gurakuqi” vijoi traditën e organizimit edhe këtë…

18 hours ago

Ekspozitë kolektive e artistëve shkodranë – Emërtimi “Gjethet që harroi vjeshta”, frymëzim nga Frederik Rreshpja

Fundvjeshta solli prurje të reja artistike në Shkodër. 15 artistë të qytetit si: Adnan Kastrati,…

18 hours ago

This website uses cookies.