Ish-krerët e UÇK-së- në Hagë, Prokuroria speciale kërkon që t’u pezullohen vizitat
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë t’u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikimet, ku përjashtohet vetëm ekipi i avokatëve mbrojtës.
Sipas saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi kanë shkelur urdhrat e trupit gjykues duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe u kanë publikuar përmbajtje të dëshmive sekrete personave që i vizitojnë në Qendrën e Paraburgimit.
Sipas njoftimit, hetimet e Prokurorisë së Specializuar kanë zbuluar përpjekje për të penguar procedurat nga tre të akuzuarit, ku pretendohet se gjatë diskutimeve me vizitorët ata u kanë kërkuar të bisedojnë me dëshmitarët e mundshëm të procesit ndaj tyre dhe t’i udhëzojnë për çfarë të përgjigjen.
Në të njëjtën kohë Zyra e Prokurorit të Specializuar ka urdhëruar që të monitorohen të gjitha komunikimet e të tre të akuzuarve dhe ruajtjen e të dhënave deri në përfundimin e gjykimit të tre ish-drejtuesve të lartë të UÇK.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-krerët e Kuvendit Kadri Vesli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi po gjykohen në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së UÇK-së në vitet 1998-1999.