Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj paraqitet në SPAK
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është paraqitur këtë të enjte (28 mars) në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës.
Më 18 mars, ish-ministrit iu komunikua akuza për shpërdorim detyre në lidhje me dosjen e koncesionit të sterilizimit.
Sipas SPAK, ish-ministri ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës në lidhje me procedurat e ndjekura për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë euro.
Në muajin gusht të vitit të kaluar, u bë arrestimi i biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.
Koncesioni i sterilizimit kaloi në duart e prokurorëve të SPAK në korrik 2022, të cilët nisën hetimin për të zbardhur procedurat e dhënies me koncesion të këtij shërbimi.
Për dosjen e sterilizimit janë marrë të pandehur edhe 8 persona të tjerë, ndërsa pritet që SPAK të dorëzojë dosjen në GJKKO me kërkesën për nisjen e gjykimit.