Ish-zyrtari i KFOR dëshmon në Gjykatën Speciale kundër ish-krerëve të UÇK
Në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të akuzuar për krime lufte në Dhomat e Specializuara në Hagë, pritet të vazhdojë dëshminë këtë të mërkurë dëshmitari i 64-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Johan Friç (o. Fritsch), i cili kishte shërbyer në Kosovë si zyrtar i KFOR-it për media në zonën e Prizrenit.
Ish-ushtari profesionist, i cili ka arritur gradën e rreshterit para pensionimit, u pyet nga prokurorja Vega Iodice.
Sipas asaj që raportojnë mediat e Kosovës, në për përmbledhjen e lexuar nga prokurorja, dëshmitari ishte dislokuar në Kosovë nga 14 qershori deri me 3 gusht të vitit 1999 si zyrtar për shtyp me kontingjentin e KFOR-it dhe se pjesë e detyrave të tij ishte shoqërimi i gazetarëve, dokumentimi dhe raportimi dhe bërja fotografi të ngjarjeve sipas kërkesës së kryesisë ushtarake të KFOR-it.
Ndërkaq të martën e ka përfunduar dëshminë e tij oficeri i ushtrisë Federale të Gjermanisë, Ditrish Klaus Jensh (o. Dietrich Klaus Jensch), i cili ka thënë se pa së paku një të vdekur dhe disa persona që mbaheshin në ish-ndërtesën e MUP-it, në të cilën paslufte ishte vendosur UÇK-ja.
Ai po ashtu ka deklaruar se gjatë kohës që ishte me mision në kuadër të KFOR-it në Kosovë kanë kapur persona që kanë veshur uniforma me flamuj të Gjermanisë e që kryenin vjedhje.
Gjatë dëshmisë, u theksua se dëshmitari kishte parë trupin e pajetë të një të ndaluari dhe kishte dokumentuar me fotografi jo vetëm atë skenë, por edhe episodet e dhunës ndaj pakicave serbe dhe rome në Prizren.
Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës. Por, katër të akuzuarit e Speciales e kanë mohuar çdo pretendim të Prokurorisë.