Ishte shpallur zonë e sigurt, Izraeli jep urdhër evakuimi dhe më pas vret me dhjetëra civilë palestinezë
Ushtria izraelite goditi në orët e fundit vendbanimet në lindje të qytetit të Khan Younis, zonë kjo e cila më parë ishte shpallur prej tyre si “e sigurt”. Forcat izraelite i kryen sulmet vetëm pak minuta pasi lëshuan thirrjet për evakuim, ndërsa banorët e qytezës u panë të largoheshin me fëmijët në këmbë
Si pasojë e sulmeve, më shumë se 70 civilë humbën jetën, ndërsa rreth 220 të tjerë u plagosën, shumë prej të cilave në gjendje të rëndë shëndetësore.
Me sulmet e fundit numri i të vrarëve i kaloi 39 mijë, ndërsa ai i të plagosurve u rrit në 89,818. Sulmet izraelite nuk po vrasin vetëm palestinezët por edhe pengjet izraelite, me IDF që lajmëroi se edhe 2 pengje të tjerë kishin humbur jetën në sulmet e tyre.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, gjatë një adresimi në parlamentin britanik bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, si dhe theksoi nevojën urgjente për ndihmën humanitare dhe kthimin e pengjeve.
Ndërsa shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, deklaroi se asnjëherë më parë hendeku midis ligjit dhe asaj që ndodh në terren nuk ka qenë kaq i madh, dhe kjo siç tha ai është për shkak të paaftësisë së komunitetit ndërkombëtar për ti dhënë fund luftës që vret të pafajshmit.