ISIS kërcënon me sulme terroriste, eksperti i sigurisë: Janë shumë aktiv, duhet gatishmëri maksimale
Kërcënimet terroriste nga ISIS për Champions League kanë ngritur në këmbë të gjithë agjencitë ligjzbatuese për të parandaluar sulme të tilla. Eksperti i sigurisë Prof.As.Xhavit Shala tha se ISIS është shumë aktiv dhe ka si qëllim që të tregojë se Shteti Islamik nuk ka vdekur.
Në “Jetë Shqiptare” në RTSH, eksperti tha se të gjitha agjencitë e inteligjencës duhet të jenë në kulmin e bashkëpunimit të tyre për të parandaluar sulme të tilla.
“Ka kohë që agjencitë evropiane po merren shumë seriozisht me këtë kërcënim dhe lidhet me kurbën në rritje të kërcënimit të ISIS pasi kanë ardhur duke i shtuar goditjet. Ata janë shumë aktiv, nëse në fillim ishin aktiv me goditjet e forcave ushtarake, sot shohin se është më lehtësi të merren me objektiva të butë, atë të civilëve. Qëllimi i tyre është promovimi i ideologjisë që Shteti Islamik nuk ka vdekur dhe do të krijohet. Evropa është tepër e kërcënuar nga ISIS dhe në Evropë priten aktivitete të mëdha si Lojërat Olimpike dhe nuk mund të thuhet se kurrë nuk ndodh”, tha Shala.
Për ekspertin e sigurisë mundësia për të parandaluar të tilla kërcënime është e madhe dhe kjo duhet të sjellë një bashkëpunim më të madh të agjencive ligjzbatuese që të jenë në kulmin e gatishmërisë së tyre.
“Franca ka marrë masa shumë të fuqishme pasi do të jetë e pafalshme për Francës që me atë që ndodhi në 2014 të ndodhi përsëri. Mundësia e parandalimit është e madhe pasi inteligjenca bashkëpunon shumë mirë dhe shkëmbejnë informacione. Shumë gjëra parandalohen. Nuk duhet të ngjallim frikë por agjencitë e inteligjencës duhet të jenë në kulmin e gatishmërisë dhe bashkëpunimi ndërkombëtar duhet të jetë në kulmin e shkëmbimeve”, tha ai.