Itali–Shqipëri dhe Euro 2024, Altin Rraklli: Të mos demoralizohemi, shanset janë 50–50
Sot nis Euro 2024, ndërsa nesër zbresin në fushë kuqezinjtë tanë, të cilët do të luajnë ndaj kampionëve në fuqi, Italisë.
Altin Rraklli, ish-futbollisti i Kombëtares, tha të premten për emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH se shanset për të fituar secila skuadër janë përgjysmë.
Ndeshja do të luhet në Dortmund, në stadiumin ku edhe vetë sportisti i njohur ka luajtur.
“Është nga stadiumet e rralla në Europë, që bën një atmosferë të papërshkrueshme. Kur bërtasin tifozët, si lojtar nuk dëgjon asgjë, as shokun tënd. Ka mbi 85 mijë vende.
Italianët janë mjeshtërit e këtyre turneve. Kjo nuk duhet të na demoralizojë apo ta marrim me frikë. Kthesa e këtij inferioriteti ka filluar që në kohën time, kur vinim këtu në Gjermani dhe i bënim tre gola ekipit të tyre, ndërsa mundeshim me një gol. Brezi i tanishëm është më i sofistikuar, sepse kanë lindur thuajse të gjithë jashtë dhe inferioriteti nuk ekziston. Them që ndeshja me Italinë do jetë 50-50,” tha ish-futbollisti i Kombëtares.