Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin mbërriti të hënën në Tel Aviv për t’i bërë presion qeverisë izraelite që të kalojë nga operacionet e mëdha luftarake kundër Hamasit në Gazë, në një fushatë më të kufizuar, si dhe për të parandaluar një luftë më të gjerë rajonale.
Shtetet e Bashkuara po përpiqen ta përdorin ndikimin e tyre falë mbështetjes së palëkundur për ofensivën, për të bindur Izraelin që të zbusë ndikimin e saj shkatërrues ndaj civilëve palestinezë.
Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania – disa nga aleatët më të afërt të Izraelit – iu bashkuan thirrjeve globale për një armëpushim gjatë fundjavës.
Kryeministri Benjamin Netanyahu ka këmbëngulur se Izraeli do të vazhdojë të luftojë derisa të rrëzojë Hamasin nga pushteti, të shkatërrojë aftësitë e tij ushtarake dhe të kthejë dhjetëra pengjet.
Udhëtimi i Sekretarit Austin vjen pasi militantët e mbështetur nga Irani ndërmorën të shtunën një valë sulmesh me dronë kundër anijeve në Detin e Kuq dhe thanë se do të vazhdojnë derisa të përfundojë “agresioni” i Izraelit.
SHBA-ja ka vënë veton ndaj thirrjeve për një armëpushim në OKB dhe i ka dërguar municione Izraelit, duke i kërkuar njëkohësisht që të ndërmarrë më shumë masa për të shmangur dëmin ndaj civilëve.
Lufta që zgjat prej 10 javësh ka shkaktuar vdekjen e mbi 18,700 palestinezëve. Rreth 1.9 milionë palestinezë – gati 85% e popullsisë së Gazës – janë larguar nga shtëpitë e tyre. Shumica janë grumbulluar në strehime dhe kampe tendash të OKB-së në pjesën jugore të territorit të rrethuar.
Zyrtarët amerikanë kanë bërë thirrje për operacione me objektiva të përcaktuara që vënë në shënjestër udhëheqësit e Hamasit, shkatërrimin e tuneleve dhe shpëtimin e pengjeve.
Presidenti Joe Biden paralajmëroi se Izraeli po humbet mbështetjen ndërkombëtare për shkak të “bombardimeve pa dallim”. Në këtë kontekst, disa ligjvënës amerikanë i kërkuan Izraelit të mbrojë civilët ndërsa vazhdon luftën e tij kundër Hamasit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po përballet gjithashtu me kritika në rritje brenda vendit për krizën e pengjeve që filloi më 7 tetor kur Hamasi kreu sulmin terrorist vdekjeprurës dhe rrëmbeu më shumë se 240 vetë.
Javën e kaluar, tre nga pengjet u vranë gabimisht nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit. Të afërmit e pengjeve të tjerë po i kërkojnë Izraelit të negociojë për të siguruar lirimin e tyre.
Hamasi ka thënë se nuk do të lirojë pengje të tjera para se të ndalet ofensiva izraelite, por Katari që ka shërbyer si ndërmjetës në konflikt, nuk po heq dorë nga përpjekjet diplomatike për të ripërtërirë një pauzë humanitare. AP
Kontrolle të shtuara për kapjen e personave të shpallur në kërkim si dhe për parandalimin…
DashiBëni kujdes në planin financiar, veçanërisht me sipërmarrjet e reja. Puna mund të ndihet paksa…
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se për ditën e Diel vendi ynë do të ndikohet nga…
Pas përfundimit të ndeshjeve të grupeve të UEFA Nations League, janë ndarë vazot për shortin…
“Libra të një kohe tjetër” është ekspozita me karakter historik, organizuar nga Biblioteka “Marin Barleti”…
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka zhvilluar një takim me strukturat…
This website uses cookies.