Izraeli ndërpret ujin dhe energjinë elektrike në Gaza, UNHCR: Po rrezikon jetën e civilëve
Zëdhënësja e Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (UNHCHR) Ravina Shamdasani ka deklaruar se rrethimi i plotë në Gaza nga Izraeli duke ndërprerë ujin dhe energjinë elektrike rrezikun jetën e civilëve.
Deklarata e Shamdasanit vjen një ditë pasi ministri izraelit i mbrojtjes Yoav Gallant urdhëroi “rrethim të plotë” të Gazës, duke thënë se do të ndalonte furnizimin me energji elektrike, ushqim, ujë dhe karburant në enklavën palestineze pas sulmit të papritur shkatërrues të Hamasit gjatë fundjavës.
“Këto rreziqe komplikojnë seriozisht situatën tashmë të rëndë të të drejtave të njeriut dhe humanitare në Gaza, duke përfshirë kapacitetin e objekteve mjekësore për të operuar, veçanërisht në dritën e numrit në rritje të njerëzve të lënduar”, tha Shamdasani të martën, duke folur në një konferencë shtypi në Gjenevë me përfaqësuesin e zyrës humanitare të OKB-së, Jens Laerke.
Laerke tha të martën se vendimi për të ndërprerë furnizimin me ujë në Gaza prek më shumë se 610 mijë njerëz dhe do të rezultojë në mungesë të madhe të ujit të pijshëm.
“Ne mbetemi jashtëzakonisht të alarmuar nga këto ngjarje që përshkallëzohen me shpejtësi”, tha Laerke, duke shtuar se zhvendosja në të gjithë Rripin e Gazës ka arritur në më shumë se 187,500 njerëz që nga e shtuna.
“Që nga e shtuna, katër shkolla dhe tetë objekte të kujdesit shëndetësor në Gaza kanë pësuar dëmtime. Shkatërrimi i infrastrukturës dhe rrugëve ka penguar lëvizjen e mbrojtjes civile dhe ekipeve mjekësore që përpiqen të arrijnë viktimat”, tha ai, duke shtuar se shërbimet shëndetësore, uji dhe kanalizimet. kanë pësuar edhe dëme.