Janari 2024, më i ngrohti në botë. Tejkalohet pragu i ngrohjes globale mbi 1.5 gradë Celsius
Janari 2024 ka shënuar temperatura rekord në të gjithë botën duke u cilësuar si janari më i nxehtë deri më tani që nga 1950. Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike i Bashkimit Evropian, Copernicus tha se këto rritje të temperaturave vijnë si pasojë e ndryshimeve klimatike.
Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike i Bashkimit Evropian tha gjithashtu se ngrohja globale ka tejkaluar limitin e vendosur për rritjen e temperaturës mbi 1.5 gradë Celsius. Udhëheqësit botërorë premtuan në vitin 2015 me Marrëveshjen e Parisit se do të përpiqen të kufizojnë rritjen afatgjatë të temperaturës nën 1.5 gradë Celsius, për të shmangur katastrofat natyrore si pasojë e ndryshimeve klimatike.
Shkencëtarët thonë se duhen veprime urgjente për të ulur emetimet e karbonit mund të ngadalësohet ngrohja globale.
“Të kalosh mbi temperaturën 1.5 gradë Celsius të ngrohjes në një mesatare vjetore është e rëndësishme. Është një hap tjetër në drejtimin e gabuar. Por ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë”, thonë shkencëtarët, raporton BBC.
Kufizimi i ngrohjes afatgjatë në 1.5 gradë Celsius mbi nivelet “para-industriale”, përpara se njerëzit të fillonin djegien e sasive të mëdha të lëndëve djegëse fosile, është bërë një simbol kyç i përpjekjeve ndërkombëtare për të trajtuar ndryshimet klimatike.
Një raport i OKB-së në 2018 tha se rreziqet nga ndryshimet klimatike të tilla si valët e të nxehtit intensiv, rritja e nivelit të detit dhe humbja e jetës së egër do ishin shumë më të egra nëse rritja e temperaturës do ishte 2 gradë Celsius sesa në 1.5 gradë Celsius.