Janari 2024 solli 30% më shumë turistë të huaj se një vit më parë
Viti 2024 nisi me rritje të shifrave të flukseve hyrëse turistike drejt Shqipërisë. Gjatë muajit janar 489,599 turistë të huaj kanë vizituar vendin tonë ose 30% më shumë se janari i vitit të kaluar, referuar shifrave të bëra publike nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Sipas të dhënave të përpunuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në krye të listës renditen shtetasit e Kosovës, me 215 mijë vizitorë ose rreth 30% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ndjekur nga vizitorët italianë, të cilët kanë qenë 53 mijë ose 50,4% më shumë, ndërsa të tretët renditen vizitorët e Mali të Zi me 52,662 hyrje ose +32,6% krahasuar me janarin e vitit të mëparshëm.
Po ashtu, ndër grupet me rritjen më të lartë të hyrjeve turistike në krahasim me një vit më parë, renditen hyrjet nga Polonia, Rumania, Spanja, Anglia, Suedia dhe Franca.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, në komunikimet e saj publike të fundit e ka cilësuar vitin 2024 si gurin e provës dhe një sfidë e përgjegjësi të madhe për të përballuar me sukses flukset e shtuara turistike. Disa nga masat e marra nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit për këtë vit janë mbështetja e 8 bashkive bregdetare me operatorë shtesë pastrimi, ngritja e një Task Force në bashkëpunim me ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për kontrollin e menaxhimit të ujërave të ndotura dhe për të përmirësuar cilësinë e ujërave në plazhe, certifikimi i detyrueshëm i operatorëve turistikë detarë dhe prezenca e vrojtuesve në çdo stacion plazhi.