Java e kulturës franceze, ambasadorja Suard: Misioni ynë, rritja e bashkëpunimit Francë-Shqipëri
Ambasadorja e Francës Catherine Suard e ftuar në studion e RTSH 24 është ndalur te java e kulturës franceze në Shqipëri, ku ka renditur disa prej aktiviteteve që janë mbajtur dhe do të mbahen në vendin tonë përgjatë 13-19 majit.
Por mes larmishmërive të aktiviteteve që përfshijnë koncerte, ekspozita, shfaqje, kulinari, lojëra dhe shfaqje cirku, më e veçanta për ambasadoren e Francës mbetet shfaqja ujore dhe piroteknike “Fous de Bassin”.
Ambasadorja u shpreh se numri i spektatorëve ishte mjaft i lartë, ndërsa theksoi se të gjitha ata që e kanë humbur këtë shfaqje mund ta ndjekin sërish sot në orën 20:00 te Liqeni Artificial.
“Dje në darkë patëm spektakël të mrekullueshëm të Liqeni i Tiranës, një lloj karnavali mbi ujë, një tregim i motshëm, ata që nuk arritën të vinin dje apo ata që duan ta rishohin të vijnë sërish sot në orën 20:00.
Atmosfera ishte shumë e bukur, atmosferë feste. Ishte ngjarje kulminante gjithë javës”, tha ajo.
Më tej, ambasadorja u ndal edhe te KubFrance e cila ndodhet te Piramida e Tiranës. Ambasadorja Suard u shpreh se ideja për KubFrance ishte që prej vizitës së presidentit Macron në Tiranë, me të cilin miratoi edhe projektin.
“Më 13 në darkë ishte pika kulminante e javës dhe do zgjasë përtej kësaj jave. Kub France është për të qëndruar atje në majë të piramidës, është instituti francez i sapo hapur.
Është shumë e veçantë, është digjital dhe është hera e parë në botë që hapim një institut të këtij lloji, ku kultura do jetë imersive, njerëzit do futen brenda veprave të artit, por nuk është vetëm kulturore, por pedagogjike, do ketë eksperiencë mbi gjuhën franceze, do jetë vend takim online dhe fizik.
Kubi është i hapur çdo ditë që nga e marta nga ora 11:00-20:00.
Ishte e imagjinuar që prej vizitës së presidentit Macron vitin e shkuar, së bashku miratuam këtë projekt. Ideja jonë është se Franca nuk ka qenë kaq e pranishme në Shqipëri dhe misioni ynë është t’u themi shqiptarëve që ne jemi këtu pranë jush për të gjitha synimet që mund t’i zhvillojmë bashkë. Urojmë që Shqipëria të hyjë sa më shpejt në BE”, theksoi ambasadorja.
Sa i përket Liceut francez në Korçë, ambasadorja u shpreh se në vitin 2025-2026 synohet të rihapet në një tjetër këndvështrim. Ajo theksoi se mision mbetet zhvillimi i degëve të universiteteve franceze në Shqipëri.
“Është një institucion simbolik. E kemi kuptuar këtë trashëgimi të historisë. Projekti ynë është që ta bëjmë të rijetojë në një formë ndryshe.
Duam të zhvillojmë në mënyrën më të mirë të mundshme marrëdhëniet tona. kemi punësuar një ekspert që do jetojë në Korçë.
Në 2025-2026 duam që Liceu të rihapet në një këndvështrim të ri. Do zhvillojmë paralelisht diploma dyfishe në formimin profesional, gjithçka që ka të bëjë me arsimimin që të zhvillojmë në të ardhmen, degë të universiteteve franceze në Shqipëri. Janë procese të gjata por ne punojmë fortë dhe me të gjithë partnerët shqiptarë të të gjitha niveleve”, tha ajo.