“Jehona Jonë” në TKOB, valle dhe këngë nga trevat shqiptare
Me këngë e valle, interpretime nga të gjitha trevat e Shqipërisë ka qenë e përbërë shfaqja e Ansamblit Popullor “Jehona Jonë” në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, mbrëmjen e 16 janarit.
Nga Çamëria në Kosovë e nga Bregu në Korab, publiku ka përcjellë traditat më të bukura shqipe, këngët, vallet, vajet e gëzimet, të cilat kane ardhur të interpretuara mjeshtërisht nga artistët e Ansamblit Popullor.
Solistë të këtij koncerti të veçantë kanë qenë Denisa Gjezo, Iris Bega, Aranit Hoxhaj, Lekë Pecnikaj, Avni Miraka etj.
Tradita e këngëve dhe valleve popullore shqipe është mjaft e lashtë, ndërsa e rëndësishme është ruajtja e kësaj pasurie ndër breza, teksa edhe në këtë shfaqje ka qenë pikërisht brezi i ri i cili ka mbajtur peshën e valleve.