“Jemi vend i mirë për të shtuar investimet”. Rama për integrimin: Nëse s’bëjmë më shumë, mbetemi pas
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria është një vend i mirë për të shtuar investimet serioze.
Në fjalën e tij në një lidhje “Skype” në Samitin e investimeve në Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Londër, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se Shqipëria ka pësuar ndryshime të mëdha, ndërsa iu referua ndër të tjera edhe një prej sukseseve të qeverisë së 2023-shit, që lidhet me turizmin.
“Rajoni po shkon mirë dhe derisa bota po ashtu po ndryshon, Shqipëria ka ndryshuar shumë. Prej një vendi me stigmën e një vendi të pasigurt, në një vend i cili vitin e kaluar ka mbërritur në një shifër prej 10 milionë turistësh më shumë se trefishi i popullatës që kemi”, ka thënë Rama.
Duke u ndalur te energjia, Rama u shpreh se Shqipëria ka resurse të reja energjetike. Ai shtoi se 10 vite më parë, sistemi energjetik i Shqipërisë ishte gati duke u shkatërruar pasi qytetarët nuk paguanin faturat.
Më tej, pyetur mbi integrimin evropian të Shqipërisë, Rama deklaroi se derisa BE-ja të bëhet gati për rajonin, Ballkani Perëndimor po punon që të integrohet sa më shpejtë, pjesë e së cilës është dhe Ballkani i Hapur.
“Është esenca e gjithçka je. Po kemi bërë një rrugë të gjatë. Është e rëndësishme të kujtojmë dhe 10 vite më parë kishim takimin e parë me të Samitit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Jo për të folur për të shkuarën dhe akuzuar njëri-tjetrin, por për të folur për të ardhmen dhe për të mbajtur procesin e Ballkanit të Hapur.
Sepse pamë që Procesi i Berlinit nuk do të ishte i mundur të ndodhte nëse disa gjëra nuk do i bënim së bashku. Por kishte shumë burokracira dhe shumë letra. Me Ballkanin e Hapur ne bëmë një progres.
Lëvizja e shtetasve të Ballkanit Perëndimor duhet të jetë e njëjtë si për shtetasit që jetojnë në vendet e BE-së.
Kjo kërkon shumë reforma dhe shumë ndryshim mendjesh. Ne duhet të punojmë e të përgatitemi për BE-në teksa BE- përgatitet për ne. Nëse nuk bëjmë më shumë, do mbetemi pas”, tha ai.