“Jetë Shqiptare”/ Mposhti kancerin e gjirit, Fitore Zenelaj: Vajzat, burimi forcës sime. Përvojën e ktheva në fitore
Muaji tetor njihet si muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit. Fitore Zenelaj, një prej personave të cilët përvojën e ka kthyer në fitore, ka rrëfyer për emisionin “Jetë Shqiptare” se si e mposhti sëmundjen.
Ajo ka deklaruar se kapja e sëmundjes në stadet e hershme, shpëton jetë, dhe për këtë arsye, ka vendosur të bëhet infermiere me qëllim që të ndihmojë qytetarët për t’u ndërgjegjësuar mbi kontrollet e vazhdueshme mjekësore.
“Kontrolle tanimë i bëj rregullisht, më herët si kam bërë analizat, kontrollet. Por tanimë i bëj vazhdimisht.
Kam studiuar për infermieri, jam në oborrin e spitalit në Prizren ku bëj praktikën, pasi sëmundja më shtyu për këtë gjë, që të informoj njerëzit për kontrolle. Kapja e sëmundjes në stadet e hershme, shpëton jetë”, tha Zenelaj.
Më tej, ajo zbulon arsyen se përse mori vendimin që t’u rrëfej vajzave të saj se ishte diagnostikuar me kancerin e gjirit.
“Burimi kryesor kanë qenë vajzat e mia të cilat në atë kohë ishin 4,6 dhe 8 vjeç. Unë do jetoj dhe luftoj për të rritur dhe edukuar vajzat dhe do jem për ato. Si di nëse kam gabuar, sepse u kam treguar vajzave.
Unë vajzave u tregova që në fillim, pjesën e heqjes së gjirit, duhet ta heq, dhe me kalimin e kohës do e vendos sërish në trupin tim. Pjesa e flokëve ka qenë më e vështirë sepse ato si çdo fëmijë donin ta shinin mamanë me flokë të gjata.
Isha 24 orë me vajzat dhe nuk ishte diçka që fshihej. Unë mendoj që bëra mirë që u tregova vajzave, dhe ato sot janë shumë të forta, dhe çdo sfidë e vogël që u vjen, menjëherë u shkon mendja te unë, te forca ime dhe bëjnë krahasime që mami ka kaluar gjëra më të mëdha”, u shpreh Zenelaj.