“Jetë shqiptare”, Shqipëria me turizëm gjithëvjetor, Elton Çaushi: Të hiqet fjala “sezon”
Shqipëria ka përballuar një valë të madhe turistësh gjatë sezonit veror dhe tema u përcoll të martën në studion e emisionit “Jetë shqiptare” në RTSH 1.
E përditshmja italiane, “Corriere della Sera”, e vlerësoi së fundmi Tiranën një destinacion të mirë për vjeshtën.
Eksperti i turizmit, Elton Çaushi, tha se Shqipëria ka disa destinacione veç bregdetit, që i ftojnë të huajt në vend.
“Vendet perëndimore, Gjermania, Zvicra, Holanda, Franca, kanë një pushim të gjatë një- deri dyjavor në shkolla dhe kjo është incentivë për të kërkuar një fundjavë të gjatë, nga e enjtja deri të hënën. Me siguri, Shqipëria me shumë gjasë ka për të marrë një vëmendje të shtuar këto dy javë në rast se edhe koha është në krahun tonë,” u shpreh z. Çaushi.
Sipas tij, Tirana mbetet një surprizë dhe njerëzit kanë përshtypje të mira kur largohen.
“Kryeqyteti është një kalë beteje në hartën e kryeqyteteve të Europës apo Mesdheut ku me shumë gjasa edhe në janar apo shkurt mund të gjesh diell që ngroh,” tha eksperti i turizmit.
Z. Çaushi propozoi që fjala “sezon” të hiqet nga fjalori i turizmit shqiptar dhe se vendi duhet të synojë një turizëm gjithëvjetor “që fillon më 1 janar dhe mbaron më 31 dhjetor”.