“Kafshimet e qenve mund të parandalohen”, fushatë sensibilizuese për më shumë kujdes dhe vëmendje ndaj kafshëve endacake

“Kafshimet e qenve mund të parandalohen”, ishte kjo fushata sensibilizuese e organizuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Kafshëve Endacake, e ndërmarrë nga organizata “Animals Need Me”, në bashkëpunim me Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Shkodër. Nisma konsiston në edukimin e njerëzve dhe sjelljeve të tyre ndaj kafshëve endacake.
Në këtë ditë thirrja e ambjentalistëve është për të adoptuar dhe sterilizuar më shumë kafshë endacake duke ndryshuar mënyrën e sjelljes ndaj tyre.
Në Shkodër, nuk ka një numër të saktë të pranisë së kafshëve endacake, por mendohet të jenë rreth 2 mijë të tilla, ndërkohë në Strehëzën publike ndodhen rreth 100 kafshë endacake.
4 Prilli, si Ditë Ndërkombëtare e Kafshëve të Rrugës, ka filluar prej vitit 2010 me iniciativën e disa organizatave hollandeze. Sipas studimeve të kryera rezulton se prania e kafshëve ndikon dukshëm në përmirësimin e shëndetit mendor të njerëzve.