Kalaja e Rozafës “priti” rreth 18 mijë vizitorë gjatë shtatorit
Shifrat e vizitueshmërisë së Kalasë së Rozafës vijnë gjithnjë në rritje.
Gjatë muajit shtator kjo kala u vizitua nga 17984 persona, 5535 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2022.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore ftoi të apasionuarit e kulturës të vizitojnë këtë sit me vlera, që ofron histori dhe aventura të paharrueshme në kala.
Shkodra është një nga qytetet me trashëgiminë më të pasur kulturore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Dhe kalaja është atraksioni kryesor i këtij qyteti.
Rikualifikimi i kalasë së Rozafatit përmes ndriçimit, një investim i Ministrisë së Kulturës e ka kthyer atë në një atraksion turistik, të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj edhe në mbrëmje.
Kalaja e Rozafës është monumenti historik më antik. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX). E ndërtuar gjatë Mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të besës legjendare.
1 nga 1