Kaljari shumë pranë Sherrit, për Egnatian gati 500 mijë euro!

Alen Sherri do të jetë lojtari i radhës, i cili braktis Kategorinë Superiore shqiptare për Serinë A italine. Portieri i talentuar ka bindur ekipin sard, i cili është gati të paguajë gjysmë milioni euro për shërbimet e 26-vjeçarit.
Lajmin e bëri me dije gazetari i njohur italian Xhanluka di Marcio, i cili pohoi se skuadra italiane ka paguar 500 mijë euro për shërbimet e Sherrit dhe tashmë pritet finalizimi i akordit. Gjithçka do të zyrtarizohet vetëm pasi Sherri të kalojë edhe vizitat mjekësore. 26-vjeçari në Sardenjë do të jetë portieri i dytë pas Skufe.
Thuhet se ka një marrëveshje mes skuadrave sipas së cilës Sherrit do të largohet nga Egnatia vetëm pasi klubi rrogozhinas të mbyllë aventurën në kupat e europës.
Kjo do të jetë aventura e parë e shkodranit jashtë Shqipërisë, pasi më parë ka milituar për klube si Vllaznia dhe Laçi. Sherri ka debutuar me Kombëtaren në nëntor të vitit 2022.