Kamala Harris: E hapur për të emëruar një republikan në kabinetin tim
Në intervistën e saj të parë për rrjet prestigjioz televiziv CNN, që kur demokratët e emëruan si kandidate për presidente, Kamala Harris u pyet pse pozicionet e saj politike kishin pësuar ndryshime gjatë kohës së saj si zëvendëspresidente dhe si kandidate presidenciale.
“Mendoj se aspekti më i rëndësishëm dhe më domethënës i perspektivës dhe vendimeve të politikës sime është se parimet e mia nuk kanë ndryshuar”, u shpreh Harris.
Ajo ka ashpërsuar qëndrimin e saj mbi emigracionin përgjatë kufirit jugor të SHBA-së me Meksikë, ndërsa tha se do të shtojë përpjekjet për një legjislacion gjithëpërfshirës kufitar.
“Ne kemi ligje që duhen ndjekur dhe zbatuar, që i adresojnë dhe merren me njerëzit që e kalojnë kufirin tonë në mënyrë të paligjshme dhe që duhet të kenë pasoja. Kam shërbyer dy mandate si prokurore e përgjithshme e Kalifornisë duke ndjekur penalisht organizata kriminale transnacionale, shkelësit e ligjeve amerikane, që kanë kryer trafik të paligjshëm armësh, droge dhe qeniesh njerëzore përtej kufirit tonë dhe parimet e mia nuk kanë ndryshuar”, tha Harris.
Zv.presidentja amerikane vuri në dukje punën e administratës Biden mbi Aktin e Reduktimit të Inflacionit. Ajo tha se është kundër ndalimit të shpimeve për nxjerrjen e naftës në Pensilvani, një nga shtetet që do të jenë vendimtare në përcaktimin e rezultatit të zgjedhjeve. Ajo u shpreh e hapur mbi mundësinë e futjes së një republikani në kabinetin e saj nëse do të zgjidhej presidente, duke argumentuar se ajo donte larmi mendimesh.
“Mendoj se është e rëndësishme të kemi në tavolinën kur merren disa nga vendimet më të rëndësishme, njerëz që kanë pikëpamje e përvoja të ndryshme. Dhe mendoj se do të ishte në të mirën e publikut amerikan që të kishte një anëtar në kabinetin tim i cili të ishte një republikane”, theksoi ajo.
Harris u pyet gjithashtu edhe për luftën në Gaza, ku përsëriti qëndrimin e Shtëpisë së Bardhë se si Izraeli ashtu edhe Hamasi duhet të arrijnë një marrëveshje armëpushimi.
“Kjo luftë duhet të përfundojë dhe ne duhet të arrijmë një marrëveshje për lirimin e pengjeve”
Kandidatja demokrate tha se nuk do të angazhohej për një embargo armësh ndaj Izraelit, siç kanë kërkuar disa anëtarë të partisë së saj. Ndërkohë kandidati republikan Donald Trump e quajti të mërzitshme intervistën e parë të Harris. “Ajo ishte ulur pas një tavoline dhe nuk më dukej si një lidere”- u shpreh ish-presidenti për rivalen e tij.