Kamberi: Numri i nxënësve shqiptarë në Luginën e Preshevës ra me 58% në 20 vjet
Nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës, përveç mungesës së librave të nevojshëm në gjuhën shqipe tani edhe po regjistrohen më pak nëpër shkolla.
Sipas deputetit shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, në dy dekada, numri i nxënësve në shkollat fillore ka pësuar një rënie të fortë.
“Në 20 vitet e fundit, numri i nxënësve të shkollave fillore ka rënë me 20 për qind në Serbi, por mes shqiptarëve në Luginën e Preshevës rënia është jashtëzakonisht e madhe, 58%, më shumë se dyfishi i mesatares kombëtare. Alarmuese! Ky është rezultati i shpërfilljes me qëllim të minoritetit nga qeveria, diskriminim aktiv,” shkroi z. Kamberi në rrjetin “X”.
Sipas censit të organizuar në Serbi në vitin 2022, në Luginën e Preshevës ka më shumë se 57 mijë shqiptarë. Kësaj etnie i shërbejnë tre shkolla në gjuhën shqipe, dy në Preshevë dhe një në Bujanoc.