Kampet e emigrantëve në Lezhë, të mërkurën vjen Meloni, punimet për qendrën pritëse në Shëngjin drejt fundit

Punimet për qendrën pritëse të emigrantëve në portin e Shëngjinit po shkojnë drejt fundit. Këtë të hënë kanë mbërritur agjentë të sigurisë së shtetit italian, të cilët do të dislokohen në Shëngjin për të garantuar sigurinë e refugjatëve.Ndërkohë, ditën e mërkurë, pritet të mbërrijnë kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e cila së bashku me kryeministrin Rama do të vizitojnë qendrën pritëse në portin e Shëngjinit dhe do të inspektojnë ecurinë e punimeve për kampin e Gjadrit. Sipas marrëveshjes me Italinë, të nënshkruar mes dy qeverive më 6 nëntor të vitit të shkuar, porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ku do të ngrihet qendra e pare, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj. Në përfundim të procedurave të vlerësimit, autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre emigrantët nga territori shqiptar. Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë, parashikon ngritjen e dy qendrave për refugjatet në Bashkinë e Lezhës. Pika pritëse në portin e Shëngjinit dhe nga aty do të transportohen me autobusë rreth 35 km në strukturën akomoduese të Gjadrit, ku refugjatët do të qëndrojnë pa afat, deri në shqyrtimin e kërkesave për azil.