Kampionati Kombëtar i boksit – Vllaznia me 8 finalistë, ndaj 5 të Tiranës, më pranë titullit kampion
Ndryshe nga dita e parë, e cila kishte në konkurim 12 ndeshje, dita e dytë e Kampionatit Kombëtar të boksit për të rritur që po zhvillohet në pallatin e sportit të qytetit të Shkodrës, ka pasur në konkurim pesë të tilla.
Ndër to, Vllaznia dhe Studenti kanë fituar nga dy ndeshje, ndërsa një tjetër është fituar nga Tirana.
Konkretisht, në peshën 63.5 kg, Indrit Sokoli i Studenti ka fituar ndaj Saimir Dedaj të Partizanit, për të vijuar në peshën 67 kg me fitoren e Besian Karajt po të Studentit që mundi Ledion Muçën e Tiranës.
Në peshën 80 kg, Redis Karaj i Tiranës fiton ndaj Flavion Metës së Vllaznisë, pasi ky i fundit nuk u paraqit në ring. Po kështu, në peshën super të rëndë, plus 92 kg, boksieri i Vllaznisë Nelson Hysa del fitues për mos paraqitjen e kundërshtarit Donaldo Xeka. Ndërkohë, po në peshën plus 92 kg, pas një dueli shumë luftarak mes Mehmet Hodos së Tiranës dhe Fabio Kaçit të Vllaznisë, ky i fundit arriti të fitojnë me rezultat të ngushtë, 2 me 1. Ajo që paraqet më shumë interes ka të bëjë që në ditën e tretë, Vllaznia ka kualifikuar 8 finalistë, ndërkohë që rivali kryesor, Tirana ka vetëm 5 të tillë. Shifra këto që e favorizojnë ekipin kuqeblu të jetë më pranë titullit të 26 kampion. Krahas 13 dueleve finaliste për meshkuj, në ditën e tretë janë në program edhe 4 ndeshje për kategorinë e femrave.