Kampionati kombëtar i futsal / Vllaznia-Tirana, 3-8. Zbehet lufta për titull e kuqebluve
Vllaznia 3 dhe Tirana 8. Ky ishte rezultati i ndeshjes së javës së pestë të Kampionatit Kombëtar të Futsallës. Një sfidë kjo e pritur me shumë interes nga tifozëria shkodrane, e cila pas dy barazimeve radhazi 2-2 me Flamurtarin dhe 5-5 me Partizanin, shoqëruar me emocion dhe spektakël, shpresonin një fitore të mundshme ndaj Tiranës kryesuese për t’u futur seriozisht në pretendimet e luftës për titull. Por, humbja e pësuar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” me rezultat të thellë 3 me 8, e zbeh mundësinë e synimeve të kuqebluve për titull. Peshën e kësaj humbje e ndjen edhe kapiteni Senad Lekaj, i cili i kërkon ndjesë tifozërisë kuqeblu për paraqitjen e tyre të dobët.
Megjithatë, kapiteni Lekaj, trajneri Celufaj, por edhe drejtuesit e klubit të futsallës shkodrane, premtojnë se do të bëjnë ndërhyrjet e duhura në mënyrë që situata të përmirësohet dhe Vllaznia tashmë të tentojë vendin e dytë, i cili është konkurues në Kupat e Europës.
Referuar takimit të futsallës, Vllaznia-Tirana, sa për statistikë duhet thënë se golat për Vllazninë u shënuan nga Senad Lekaj, Saimir Hyseni dhe Ari Djepaxhia. Ndërsa, për Tiranën shënues ishin Kosova dhe Kaca nga 3 dhe dy Prendi.