Kampionati Kombëtar i Volejbollit, të premten java e parë. Vllaznia e femrave pret Pogradecin
Federata Shqiptare e Volejbollit ka parajmëruar që në fundjavë nisin ndeshjet e Kampionatit Kombëtar të Volejbollit, për femra dhe meshkuj.
Kompeticion ky që vjen pas Kupës së Federatës, e cila u zhvillua fundjavën e kaluar në kryeqytet duke nxjerrë fitues ekipet e Skënderbeut për femra, skuadër që mundi në finale Tiranën, ndërsa për meshkuj trofeun e fitoi Partizani duke mundur në finale Tiranën. Vllaznia e volejbollit për femra e drejtuar nga trajnerja Nora Deda, Kampionatin Kombëtar e nis me ndeshjen e javës së parë që do të luhet pasditen e së premtes në pallatin e sportit, “Qazim Dervishi” të Shkodrës duke pasur përballë ekipin e Pogradecit. Skuadra kuqeblu e mbylli sezonin e kaluar sportiv duke qënë mes katër më të mirave të kampionatit, një objektiv ky i realizuar, i cili erdhi përmes ndeshjeve emocionuese që zhvilloi kjo skuadër. Ndërkohë, pragsezoni i sivjetëm 2024-2025, duhet thënë se nuk ka ardhur në mënyrën më të mirë kur kemi parasysh largimet e shumta të volejbollistëve titullare. Megjithatë, trajnerja Nora Deda me kolegun e saj Ardian Dodani po bëjnë më të mirën e tyre për të pasur në përfaqësim një Vllazni dinjitoze. Krahas elementit të ri me perspektivë që këtë sezon ka mbushur ekipin e parë, është bërë e mundur edhe përfshirja në merkato duke rikthyer në Shkodër volejbollisten me përvojë Esmeralda Tuci, si dhe një tjetër që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë, nga tjetër Vllaznia në Volejboll për meshkuj që drejtohet nga trajneri Artan Kalaja dhe kolegu i tij Ermal Kraja, në javën e parë është pushim, ndërsa për javën e dytë pret Elbasanin në shtëpi.