Kanali i mbushur me shishe plastike/Depozitimi i mbetjeve rrezikon ta nxjerrë jashtë funksionit
Shishet plastike, të konsumuara nga banorët i gjen të hedhur në kanalin kryesor të kullimit që përshkon dy zonat atë të Trushit me Dajçin. Në pak metër thellësi të këtij kanali është e mbushur nga mbeturina urbane, por jo vetëm të cilat gjatë dekompozimit lëshojnë erë të rëndë sidomos gjatë stinëve pranverë dhe verë.Në një pjesë të tij kanali është mbuluar nga mbetjet dhe bimët ujore duke të lënë përshtypjen e një kënete. Papastërtia, aroma kundërmuese dhe plehrat shihen lehtësisht. Gjatë stinës së dimrit ankohen për përmbytjet ndërsa në periudhën e verës banorëve iu duhet që të përballen me mungesën e higjenës.Nga ana e saj bashkia ka ndërhyrë disa herë për pastrimin e këtyre kanaleve kulluese por duket se kjo gjë nuk ka mjaftuar për ndërgjegjësimin e personave të papërgjegjshëm. Ndërsa në krahun tjetër të rrugës si kanalet kulluese por edhe një pjesë e atyre vaditëse janë të mbuluar me shkurre dhe kallama, çka rrezikojnë ta humbin funksionin e tyre. Si pasojë e mungesës së një pastrimi kanalet në Trush janë shndërruar në një kolektor të madh mbetjesh.