Kancelari gjerman paralajmëron bisedime në Spanjë për tensionet Kosovë-Serbi
Kancelari gjerman Olaf Shuls (Olaf Scholz) bëri thirrje të mërkurën (4 tetor) për një zgjidhje paqësore të situatës në veri të Kosovës.
“Për mua, është shumë e rëndësishme që situata të mos përshkallëzohet më tej kur bëhet fjalë për Serbinë dhe Kosovën. Duam një zgjidhje paqësore dhe për këtë jemi shumë të angazhuar bashkë me Francën dhe Italinë,” tha Scholz në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin bullgar Nikolai Denkov.
Ai shtoi se çështja do të diskutohet gjithashtu të enjten dhe të premten (5 dhe 6 tetor) kur krerët nga gati 50 vende evropiane të takohen në Granada të Spanjës.
Në këtë takim do të marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ku është raportuar se vendet evropiane do të përpiqen që të organizojnë një takim në mes Osmanit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Ndërkaq, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock sot do të vizitojë Shqipërinë ku do të takohet edhe me ministrat e jashtëm të Kosovës dhe Serbisë, në një kohë kur tensionet janë rritur, pas sulmit terrorist në veri.