Kaos në Parlament/ Deputetët e opozitës përplasen me mazhorancën, nuk lejojnë nisjen e seancës plenare
Punimet e seancës plenare të sotme janë bllokuar për shkak të përplasjes së deputetëve të opozitës me ata të mazhorancës.
45 deputetë të opozitës kanë bllokuar Kuvendin, duke mos lejuar nisjen e seancës plenare.
Sipas gazetares Anisa Kadesha, përplasjet në Kuvend vijnë si pasojë e bllokimit që mazhoranca socialiste i ka bërë Komisioneve Hetimore dhe përfaqësimit të opozitës në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
Gjithashtu prej 2 muaj edhe pse mazhoranca ka njohur vullnetin e shumicës së deputetëve për Kryetarin e Grupit Parlamentar të PD, që sipas rregullores së Parlamentit zgjidhet nga vetë deputetët, vijon të lexojë seancë pas seance shkresa të firmosura nga Lulzim Basha.
Kjo sjellje e Kryetares së Kuvendit është kosideruar si provokim nga ana e deputetëve të PD, që duket se sot kanë vendosur të mos lejojnë vijim normal të punës në Parlament.
Zv.kryetarja e Parlamentit, Ermonela Felaj ka mbyllur seancën plenare duke deklaruar më tej se do kërkojë marrjen e masave disiplinore për deputetët që bllokuan Kuvendin.