Kaosi i IT-ve, bizneset dhe shërbimet në mbarë botën po i rikthehen normalitetit
Puna në bizneset, bankat, spitalet, linjat ajrore dhe hekurudhore që ishin ndër më të goditurat, pasi firma e sigurisë kibernetike Crowdstrike bëri një përditësim të gabuar të softuerit që preku Microsoft Windows, po i rikthehet normalitetit.
Shefi ekzekutiv i Crowdstrike kërkoi falje për ndërprerjen globale të të sistemeve teknologjike, por pranoi se mund të duhet një kohë e caktuar përpara se të gjitha sistemet të rikthehen plotësisht në funksion.
Ndërsa disa shërbime të linjave ajrore kanë filluar të kthehen në normalitet pas anulimit të mijëra fluturimeve, operatorët presin që disa vonesa dhe anulime të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës. Shumë biznese tani po përballen me ngarkesa dhe porosi të humbura që mund të duhen ditë për t’u zgjidhur. Shërbimet shëndetësore në Britani, Izrael dhe Gjermani gjithashtu pësuan probleme, ndërsa anuluan disa operacione.
Kaosi global ka ngjallur shqetësim mbi cenueshmërinë e teknologjive të ndërlidhura në botë dhe shkallën në të cilën një defekt i vetëm softuerik mund të ketë ndikim kaq të përhapur. Një ditë më parë, kompania CrowdStrike e cila krijon softuerë për të luftuar viruset kompjuterike, siguroi se nuk kishte asnjë incident sigurie apo sulm kibernetik.