Kaosi në Kuvend, Kulluri: Berisha e ka gatuar vetë këtë gjellë. Tani le ta hajë
Sekretari për marrdhëniet me publikun në PD, Edvin Kulluri, bëri të ditur në emisionin ‘3D’ në RTSH se Berisha nuk ka asnjë autoritet mbi kryesinë dhe grupin parlamentar të PD-së.
Sipas tij, deputetët e PD-së nuk kanë punë ti bashkohen askujt përveç vullnetit të tyre dhe vendimeve politike që merr Partia Demokratike.
“Berisha nuk ka asnjë autoritet mbi Kryesinë e PD-së dhe grupit Parlamentar. Në lidhje me përfaqësimin në komisionin për Reformën Zgjedhore, nuk mundet që në emrin e PD-së të shkojë si bashkëkryetar i komisionit një përfaqësues i një subjekti tjetër që nuk ka lidhje me PD që nuk është as subjekt ligjor.”, tha Kulluri.
Sipas tij, Gjykata e Apelit e ka prishur vendimin e Zhukrit.
“PS prej 10 vitesh nuk i ka dhënë hapësirë opozitës për komisione hetimore. Megjithë teprimet në raste të caktuara nga opozita, kjo është një e drejtë patjetërsueshme e opozitës që është kontrolli parlamentar mbi ekzekutivin.”, theksoi Kulluri.
Sipas tij, ky parlament është katandisur në këtë pikë sot, sepse Parlamenti nuk ka kontroll mbi qeverinë, por ka qeveria dhe Rama kontrollon mbi Parlamentin. Për shkak të ndryshimeve kushtetuese të 2008, ka ndryshuar skema e kontrollit dhe balaca e pushteteve. Nëpërmjet listave të mbyllura kryeministri sot është bërë i parrëzueshëm në parlament. Këto janë vepër e Doktor Berishës dhe zëvendësit të tij Rama. Berisha e ka gatuar vetë këtë gjellë. Tani le ta hajë vetë”, tha Kulluri.