Kapet 320 kg kokainë në Greqi me destinacion Shqipërinë. Dy shqiptarë mes të arrestuarve
Një sasi prej 320 kilogramë kokainë është gjetur në dy kontejnerë me karkaleca të ngrirë në Portin e Pireut në Greqi.
Dy kontejnerët, sipas medieve greke, ishin nisur nga Amerika Latine dhe kishte si destinacion Shqipërinë. Dyshohet se më pas do të trafikohej drejt Evropës Qendrore dhe Veriore.
Sasia e kokainës ishte e paketuar në pako dhe fshehur mes karkalecave të ngrirë. Operacioni u zhvillua nga Prokuroria e Narkotikëve të Atikës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Narkotikëve të SDOE-së dhe Doganën e Pireut.
Për rastin në pranga ranë 4 persona, dy shtetas shqiptarë dhe dy shtetas grekë. Dy shqiptarët e arrestuar janë Andrea (Jasona) Mërkuri, 54 vjeç dhe Marsel Stafaj 36 vjeç si dhe shtetasi grek Ioannis Biglakis 64 vjeç.
Andrea (Jasona) Mërkuri, ishte shpallur në kërkim që në 2017, ku kërkohej për prodhimin në laborator të pilulave Captagon që kryesisht trafikohej në vendet e Lindjes së Mesme dhe kishte marrë edhe emërtimin si “droga e xhihadistëve”.
Shtetasi grek Ioannis Biglakis rezulton i arrestuar në vitin 2012 në Kosta Rika për transport armësh. Ai u ekstradua në SHBA kur kërkohej për bashkëpunim me organizatën kriminale në Kolumbi ku do të shkëmbente armët me kokainë.