Kapet i shpalluri në kërkim , procedohen në gjendje të lirë 6 shtetas
-Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se në P.K.Kufitarë Muriqan është ndaluar një shtetas 35- vjeçar, banues në Lezhë. Ndalimi u bë pasi, nga verifikimet e kryera në dalje të vendit, rezultoi se ishte i shpallur në kërkim për shkak se ishte dënuar nga Gjykata e Tiranës, me 4 muaj burgim, për veprën penale “Mashtrimi”.
Ndërkohë, Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Shkodër referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. A., 47 vjeç, banues në Rrapshë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë”, pasi është kapur nga shërbimet e SPK Bajzë, duke tentuar të kalonte në mënyrë të paligjshme, me automjet, në Malin e Zi, 60 pako duhan të grirë.
•Të njëjtat burime zyrtare policore informojnë se , Sektori i Policisë Rrugore referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: A. H., 48 vjeç, banues në fshatin Kaçë, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi; E. P., 19 vjeç, banues në Shkodër, pasi duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi, ka goditur lehtë shtetasen E. P., 19 vjeçe, banuese në fshatin Muriqan.
Përveç këtyre rasteve , Komisariati i Policisë Shkodër referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: P. P., 20 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri, pasi ka kallëzuar një 33-vjeçare, se ky shtetas e ka kanosur me mesazhe, si dhe shtetasit M. Sh., 29 vjeç, banues në fshatin Theth, pasi u konstatua se në pronën e tij, ka ndërtuar një objekt me lëndë drusore, pa lejen përkatëse.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.