“Kapitull i ri bashkëpunimi”, raportohet se Kim Jong Un do të udhëtojë drejt Kinës
Zyrtari i tretë më i pushtetshëm në Kinë, Zhao Leji, anëtar i Komitetit të Partisë Komuniste të Kinës ka realizuar një vizitë këtë javë në Korenë Veriore, teksa dy vendet shënojnë 75-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike. Leji i cili u prit shumë miqësisht nga lideri koreanoverior u shpreh se Kina ishte e gatshme të forconte më tej lidhjen e zhvillimit dhe të thellojë bashkëpunimin dypalësh duke ruajtur interesat e përbashkëta të dy vendeve, shkruan Agjencia Franceze e Lajmeve, AFP.
Ndërsa, Kim nga ana tjetër citohet ti ketë thënë Lejit se Phenjani është shumë e interesuar në thellim të miqësisë tradicionale dhe që “të shkruhet një kapitull i ri” në marrëdhëniet mes tyre. Ndërkohë mediat në Korenë e Jugut kanë raportuar se në vizitën e Lejit janë bërë plane edhe për një vizitë të Kim Jon Un në Pekin. Kim është takuar për herë të fundit me presidentin kinez Xi Jinping, më 2019, para shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, andaj vizita me Zhaon konsiderohet takimi më i rëndësishëm mes zyrtarëve të lartë shtetërorë në vjetët e fundit.
Kina është shteti prej të cilit përfiton më së shumti Koreja e Veriut, si në aspektin diplomatik, ashtu edhe atë ekonomik. Kina, bashkë me Rusinë, kanë bllokuar përpjekjet e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që të sanksionojnë Qeverinë e Kim Jong Un-it, pas rritjes së numrit të testimeve bërthamore.