“Kartoni jeshil” me Malin e Zi – Zgjidhet shqetësimi i shkodranëve, reagon Edona Bilali dhe Benet Beci
Të gjithë makinat me targa shqiptare që udhëtojnë drejt Malit të Zi, nga shkurti do të kenë një zbritje të çmimit të primit të sigurimit për “Karton Jeshil”.
Duke filluar nga data 1 shkurt 2025, qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë të lëvizin drejt Malit të Zi me policën e sigurimit “Kartoni Jeshil” për autoveturat me prim të reduktuar 50 Euro, me afat 1 vjeçar.
Në përputhje me rekomandimet e Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), për marrjen e masave të ndërmjetme me qëllim lehtësimin e lëvizjes së lirë të mjeteve, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ndërmori një proces konsultimi dhe koordinimi me Byronë Shqiptare të Sigurimit (BSHS) për marrjen e këtij vendimi.
Bazuar në vendimin e Byrosë Shqiptare të Sigurimit, qytetarët shqiptarë mund të pajisen me policën e sigurimit “Karton Jeshil”, me vlefshmëri 12-mujore nga data e lëshimit, e cila mbulon ekskluzivisht territorin e Malit të Zi.
Polica e sigurimit mund të blihet në pikat e kalimit kufitar të Muriqanit, Hanit të Hotit, Grabomit dhe Vermoshit.
Për këtë lajm të shumëpritur ka reaguar deputetja e qarkut Shkodër, Edona Bilali, e cila loboi në drejtim të zgjidhjes së pagesës së vazhdueshme për çdo kalim në doganën e Malit të Zi
Permes një statusi në Facebook deputetja Bilali shprehet…
Me në fund zgjidhëm kartonin jeshil me Malin e Zi.
Një shqetesim i shkodranëve dhe një angazhim publik i marrë nga unë prej gati dy vitesh gjeti më në fund zgjidhje Pas disa përpjekjesh edhe me institucionet homologe të Malit të Zi zgjidhja është një policë e dizenjuar enkas mes Shqipërisë e Malit të Zi, me çmim të reduktuar.
Jam plot emocion, sepse është prova e radhës se çfarë mund të arrihet kur nevojat e qytetarëve dëgjohen dhe kur ke mbështetjen e Edi Ramës e cila vijon të jetë e pakufizuar për Shkodrën
Ndërkohë edhe kryebashkiaku Benet Beci shkruan në facebook
Ky është një hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit mes vendeve tona, duke sjellë lehtësira për qytetarët dhe duke ndihmuar në forcimin e shkëmbimeve dhe zhvillimit të mëtejshëm mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, e në mënyrë të veçantë përfitues janë banorët e Shkodrës me afërsinë që ka qyteti ynë me vendin fqinj.Tarifa prej 15 euro për dy javë nuk do të jetë më e detyrueshme, pasi shqiptarët do të kenë mundësinë të lëvizin me autoveturat e tyre duke përdorur policën e sigurimit “Kartoni Jeshil” me një çmim të reduktuar prej 50 euro dhe afat njëvjeçar.