Katastrofa humanitare në Gaza, Kamala Harris qortim të ashpër ndaj Izraelit: Asnjë justifikim
Zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, ka deklaruar se Izraeli nuk ka bërë sa duhet për të lehtësuar “katastrofën humanitare” në Gaza.
Thirrja e hapur e Harris, vjen në një moment në të cilin administrata e Bajden (Biden) përballet me presion në rritje për të frenuar aleatin e saj të ngushtë, ndërkohë që bën luftë me militantët e Hamasit.
Harris, bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe i kërkoi Hamasit të pranonte një marrëveshje për lirimin e pengjeve në këmbim të një ndërprerje 6-javore e armiqësive.
Por ajo e drejtoi pjesën më të madhe të komenteve të saj ndaj Izraelit në atë që dukej të ishte qortimi më i ashpër deri më tani nga një udhëheqës i lartë në qeverinë amerikane mbi kushtet në enklavën bregdetare.
“Njerëzit në Gaza po vdesin nga uria. Kushtet janë çnjerëzore dhe njerëzimi ynë i përbashkët na detyron të veprojmë. Qeveria izraelite duhet të bëjë më shumë për të rritur ndjeshëm rrjedhën e ndihmës. Asnjë justifikim”, tha Harris në një ngjarje për të përkujtuar 59-vjetorin e të Dielës së Përgjakshme në Alabama.
Komentet e saj pasqyruan zhgënjimin e fortë brenda qeverisë amerikane për luftën, e cila ka dëmtuar qëndrimin e presidentit Xho Bajden (Joe Biden) me votuesit me prirje të majtë, ndërsa ai kërkon rizgjedhjen këtë vit.
Harris tha se Izraeli duhet të hapë pika të reja kufitare, të mos vendosë “kufizime të panevojshme” në shpërndarjen e ndihmave, të mbrojë personelin humanitar dhe autokolonat që të mos bëhen objektiva, dhe të punojë për të rivendosur shërbimet bazë dhe për të promovuar rendin në mënyrë që “më shumë ushqim, ujë dhe karburant të mund të arrijë tek njerëzit në nevojë.”