Kategoria e dytë, luhet java e 14-të, fiton Murlani, barazon Besëlidhja, humbet Tërbuni
Klubi i Futbollit Murlani, i cili luan në grupin A të kategorisë së dytë, së bashku me skuadrat e tjera të qarkut Shkodër, Tërbunin dhe Veleçikun, ka arritur një fitore të rëndësishme duke mundur në javën e 14-të një kundërshtar rival direkt, siç është Naftëtari. Ndeshja e luajtur në fushën sportive të Barbullushit ka përfunduar me rezultatin 3 me 2 për vendasit.
Për trajnerin e Murlanit, largimi i futbollistëve brazilianë dhe afrimi i djemve shkodranë për fazën e dytë ka dhënë efektin pozitiv në lojën e skuadrës.
Ndërkohë, në ballaafqimet e tjera të kësaj jave, bie në sy humbja në shtëpi e pukjanëve 0-1 përballë Valbonës së Tropojës, si dhe barazimi po në shtëpi i lezhjanëve, 0 me 0 me Ilirinë e Fushë Krujës, duke bërë që pas javës së 14-të në krye të renditjes të jenë me pikë të barabarta, Besëlidhja dhe Valbona.