Kategoria Superiore gati për sezonin e ri
Pas afro tri muajsh pritje, Kategoria Superiore nis këtë fundjavë sezonin e ri. Për shkak të impenjimeve në playoff të Conference League, Federata Shqiptare e Futbollit kishte në program për ditën e shtunë, përballjen mes Partizanit dhe Teutës, por të kuqtë e Zoran Zekiç u përballën me një udhëtim të gjatë në Kazakistan dhe dy skuadrat gjetën dakordsinë, që kjo përballje të luhet në një datë tjetër.
Sfida hapëse e sezonit do jetë ajo mes Egnatias dhe Skënderbeut, e cila luhet të shtunën duke filluar nga ora 17:00. Sipas kalendarit të FSHF-së, dita e shtunë do të mbyllet me takimin Vllaznia-Kukësi që do të luhet në orën 20:00 në stadiumin “Loro Boriçi”.
Ditën e diel, duke filluar nga ora 17:00 Laçi do të presë skuadrën e Erzenit, ndërsa në orën 20:00 do të luhet derbi i kryeqytetit mes Dinamos dhe Tiranës. Blutë do të kërkojnë ta nisin sa më mirë sezonin, ndaj një kundërshtari që ka bërë merkaton më të pasur në Superiore. Sfida është programuar të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”.