Kathimerini: Çështja Beleri, kusht për integrimin e Shqipërisë në BE. Athina po konsultohet me BE-në
Në prag të takimit mes liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor Greqia ka adresuar një mesazh ndaj Shqipërisë duke përmendur sërish çështjen “Beleri”.
Sipas mediave greke, evoluimi i procesit të integrimit të Shqipërisë në BE është i lidhur direkt me çështjen e Fredi Belerit veçanërisht pas refuzimit nga GJKKO të kërkesës së tij për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës.
Greqia tashmë ka paraqitur një deklaratë me shkrim, ku e ka shoqëruar letrën e Këshillit Evropian duke kushtëzuar fillimin e negociatave BE- Shqipëri me dosjen e Belerit, gjykimi i drejtë dhe respektimi i prezumimit të pafajësisë.
Sipas Kathimerinit, Athina do të konsultohet përpara fillimit të Samitit mbi formulimin final lidhur me përfundimet për Shqipërinë.
Athina insiston se procesi i fillimit të negociatave është i lidhur drejtpërdrejt me çështjen Beleri.
“Në një moment të caktuar, Athina i kishte propozuar Komisionit Evropian që, nëse dëshironte, mund të jepte edhe pëlqimin për shkëputjen e dy kandidaturave, pasi Greqia nuk ka asnjë problem me Maqedoninë e Veriut, e cila duket se përmbush në mënyrë më efektive kriteret që lidhen me sundimin e ligjit. Është absolutisht e qartë se ky zhvillim krijon një front për Athinën, teksa disa vende të BE-së por edhe SHBA e konsiderojnë progresin e Shqipërisë si një “histori suksesi”.
Ajo po merr një mbështetje shumë të rëndësishme nga Gjermania, ndërsa presidenca spanjolle e BE-së duket se ka premtuar në Tiranë se problemet me Greqinë do të kapërcehen. Athina megjithatë, kujton se procesi i pranimit për çdo anëtar të mundshëm është transnacional”, shkruan më tej gazeta greke, Kathimerini.