Kërcënimet ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve/ KLGJ: Të ndalet çdo sulm që rrezikon jetën e tyre
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar ndaj kërcënimeve ndaj prokurorëve të SPAK-ut duke theksuar se mbështet funksionarët e sistemit të drejtësisë në punën e tyre.
“Këshilli i Lartë Gjyqësor, pasi ka ndjekur me vëmendje kërcënimet e adresuara ditët e fundit ndaj funksionarëve të sistemit të drejtësisë, është plotësisht i angazhuar për të mbështetur në mënyrë të palëkundur, çdo gjyqtar e prokuror, i cili me përkushtim, profesionalizëm, integritet dhe përgjegjësi të lartë, punon çdo ditë dhe më shumë, për të bërë vendin të sigurt për ne dhe brezat që do të vijnë pas”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
KLGJ bën apel që duhet ndalur çdo sulm që cenon jetën dhe sigurinë e njerëzve të drejtësisë.
“Në një shoqëri demokratike, gjyqtarët dhe prokurorët janë garantues të drejtësisë dhe barazisë para ligjit dhe si të tillë, ata duhet të ushtrojnë funksionet e tyre në mënyrë të paanshme, të pavarur dhe profesionale për të merituar besimin e publikut.
Për këtë arsye të gjithë së bashku, për të garantuar pavarësinë e pushtetit gjyqësor, duhet të ndalim çdo sulm apo veprim që synon të cenojë së pari jetën, integritetin, sigurinë dhe paprekshmërinë e magjistratëve”, shkruan më tej KLGJ.
Këshilli i Lartë Gjyqësor gjithashtu shkruan në njoftimin për mediat se “dënon çdo përpjekje për të kërcënuar, kufizuar, apo ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, gjyqtarët dhe prokurorët në përmbushjen e detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore. Çdo përpjekje e tillë është një kërcënim serioz për shtetin e së drejtës dhe demokracinë në vend, pasi minon përpjekjet tona të përbashkëta drejt integrimit europian”.