Kërcënimi i sigurisë nga vinçat kinezë, SHBA planifikon miliarda për t’i zëvendësuar
Qeveria amerikane pritet të investojë më shumë se 20 miliardë dollarë për të zëvendësuar vinçat ZPMC të prodhuar në Kinë, pasi përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.
Vendimi i fundit është pjesë e veprimeve të ndërmarra të mërkurën për të rritur mbrojtjen detare nga sulmet kibernetike.
Paratë për zëvendësimin e aparaturave do të merren nga paketa për infrastrukturën rreth 1 trilion dollarë, që u kalua me konsensus politik në vitin 2021. Qëllimi është prodhimi i vinçave nga një kompani amerikane me lidhje japoneze dhe do të jetë prodhimi i parë vendës në 30 vite.
“Ndiejmë se ka një rrezik të vërtetë strategjik këtu. Këta vinça, për shkak se lëvizin në masë kontejnerët brenda e jashtë postit, sikur ata të bllokohen prej një sulmi kriminal ose të merren me qira ose të kontrollohen nga armiku, kjo do të kishte impakt real në lëvizjen e mallrave brenda ekonomisë tonë dhe në lëvizjen e mallrave tona ushtarake në porte,” u shpreh Anë Nojberger (o. Anne Neuberger), zv.këshilltarja për sigurinë kombëtare për kiberteknologjinë.
Sipas ambasadës kineze në Uashington, pretendimet e palës amerikane janë “tërësisht paranojë”. “Të luash ‘kartën e Kinës’ dhe të hedhësh teorinë e ‘kërcënimit kinez’ është e papërgjegjshme dhe do të dëmtonte interesat e vetë SHBA-së,” tha zëdhënësi i ambasadës, Liu Pengiu (o. Pengyu).
Ushtria amerikane ka shprehur prej vitesh shqetësimin rreth sigurisë së vinçave dhe është përpjekur të evitojë përdorimin e vinçave kinezë në portet e vendit. “Kinezët mund të gjurmojnë origjinën, destinacionin dhe të dhëna të tjera të materialeve në kontejnerë për të përcaktuar ku do i dorëzojë ushtria,” deklaroi vitin e kaluar gjen. Zhaklinë Van Ovost (o. Jacqueline), shefja e Komandës së Transportit në SHBA.
Zyrtarët amerikanë tregojnë se sulmet ndaj infrastrukturës kritike nga hakerët kinezë mund të vënë në rrezik jetën e qytetarëve amerikanë dhe ky skenar mund të bëhet realitet në rastin e një konflikti për Tajvanin. Vinçat e prodhuar nga kompania ZPMC përmbajnë qarqe elektronike të sofistikuara, të cilat mund të regjistrojnë dhe gjurmojnë origjinën dhe destinacionin e kontejnerëve. Ata përbëjnë gati 80% të vinçave që përdoren për anijet në portet amerikane. /WSJ