Kërcënimi nga lufta, deputeti i PS-së tregon strategjinë e sigurisë kombëtare: Ja arma kryesore që ka Shqipëria
Deputeti i Partisë Socialiste dhe ish-pjesëtari i Forcave të Armatosura, Denis Deliu ka treguar në emisionin “Ekspres” në RTSH 1 disa nga pikat kryesore që përmban strategjia e sigurisë kombëtare të miratuar në Kuvend.
“Strategjia e sigurisë kombëtare përcakton rreziqet, risqet dhe mënyrën se si do të përfshihen institucionet dhe se si duhet t’i përballojnë ato rreziqe apo t’i parandalojnë.
Te strategjia e sigurisë kombëtare ishte e përcaktuar siguria kibernetike, siguria ushqimore, siguria energjetike, siguria e kufijve, emigracioni i paligjshëm, shërbimet inteligjente, ndërthurja dhe bashkëpunimi i këtyre institucioneve. Ishte shikuar në tre nivele, në nivelin kombëtar, rajonal dhe atë ndërkombëtar. Mendoj që ishte një strategji e mirë menduar”, u shpreh Deliu.
I pyetur se sa e përgatitur është Shqipëria në rast të një konflikti të armatosur Deliu tha se “Shqipëria është një vend i NATO-s, për shkak të mungesës së disa kapaciteteve është NATO që i mbulon, për shembull hapësirën ajrore të Shqipërisë e mbrojnë forcat greke ajrore”
Deliu vuri në dukje gjithashtu se Shqipëria ka porositur blerjen e raketave “Javelin” dhe dronëve të armatosur.
“Sa i përket kapaciteteve të tjera, Shqipëria është në ndryshim dita-ditës. Është duke blerë armatim të ri. Ne jemi në pritje se kemi bërë kërkesë për Javelin, për raketa, për dronë të armatosur, për mjete të blinduara, helikopteër për transport dhe sulm”, tha Deliu.
Deputeti i PS-së tregoi gjithashtu se cila është arma kryesore që sot ka Shqipëria sa i përket sistemit të saj mbrojtës. Ai theksoi se në rast të një tentative për sulm nga një vend tjetër, Deliu theksoi se Shqipëria ka bërë një investim madhor në radarin që ndodhet në Midë të Pukës.
“Një investim madhor në një radar të suksesshëm të sofistikuar i cili ndodhet në Midë të Pukës. Ky radar është i kompanisë Locked Martin që nën udhëheqjen dhe mbështetjen e SHBA-ve ky radar bën parandalimin, zbulimin në kohë dhe grumbullimin e informacionit si dhe shpërndarjen e tij te rrjetet e klasifikuara të tij në vend por edhe të NATO-s sepse Shqipëria duke qenë vend anëtar i NATO-s çdo mangësi që ka e mbulon Aleanca atë”, shpjegoi më tej Deliu.