Kërkohej për tentativë vrasjeje/ Po kthehej nga Spanja, arrestohet në Rinas 35-vjeçari
Policia ka vendosur në pranga një 35-vjeçar i cili ishte shpallur në kërkim për tentativë për vrasje.
Albert Margjoni është arrestuar në aeroportin e Rinasit, të cilin Gjykata e Apelit Shkodrës e kishtë dënuar me burg për tentativë për vrasje.
“Si rezultat i verifikimit të gjenealiteteve, përpunimit të të dhënave dhe shkëmbimit të këtyre informacioneve me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë, të DVP Lezhë, në hyrje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim, i cili vinte nga Spanja, Albert Margjoni, 35 vjeç”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas policisë, ky shtetas në vitin 2017, ishte dënuar nga gjykata e Apelit, Shkodër, me 6 vjet e 8 muaj burgim, “për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”
Duke iu referuar dosjes së 35-vjeçarit bëhet e ditur se në vitin 2009 Albert Margjoni ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte shtetasi E. M, ku nga shtënat mbeti i plagosur shtetasi E. M.
Ndërkaq, 35-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.