Kërkoi masë më të butë, Gjykata e Posaçme lë në burg Ilir Beqajn
Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masat e arrestit për 7 të pandehurit që akuzohen për abuzim me fondet e SASPAC.
Gjykata e Posaçme nuk ka pranuar kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj për lehtësim të masës së sigurisë, duke e lënë atë në burg.
Në seancën e sotme, Gjykata ka dhënë masë sigurie edhe për një tjetër person, Marinela Jazoj e cila ishte në procedim në gjendje të lirë, duke vendosur për të masës “detyrim paraqitje”.
Gjykata vendosi arrest me burg për Beqajn dhe koordinatorin e projektit EUSAIR, Ermal Kurtulaj; “arrest shtëpie” për Elton Marini, menaxher futbollistësh -ortaki shoqërisë private dhe Alfred Nikollaj – drejtori Administrativ i “Landeays International”; si dhe “detyrim paraqutje”, Bledar Leka dhe Bjona Zijaj, konsulente financiare.
Beqaj u ndalua më 4 korrik me akuzën për prokurime fiktive në të paktën 8 raste në kohën kur ishte drejtor i përgjithshëm i SASPAC-it.
Sipas SPAK prokurimet fiktive nuk kalonin përmes procedurave të rregullta ligjore. Abuzimet dyshohet se bëheshin mes Ilir Beqajt në bashkëpunim me Ermal Kurtulaj, gjithashtu i arrestuar, i cili në atë periudhë drejtonte projektin EUSAIR, pjesë e SASPAC përgjatë viteve 2022–2023.